Reja vullkanike, Obama përshpejton udhëtimin drejt Londrës

Reja vullkanike, Obama përshpejton udhëtimin drejt Londrës

Mbërritja e përshpejtuar në Londër duket se rrudh paksa triumfin e presidentit amerikan Barack Obama në Irlandë. 

Presidenti dhe Zonja e Parë, Michele, u detyruan të nisen drejt kryeqytetit britanik, para agjendës së planifikuar për nisjen e vizitës shtetërore në Britani, me qëllim që të evitonin anulimin e mundshëm të fluturimit për shkak të resë vullkanike islandeze. 

Obamët u ulën në Londër të hënën në mbrëmje, pas vizites tejet të sukseshme në Irlandë. Para parlamentit të Irlandës për të përshëndetur Obamën u mblodh një turmë që mediat e përshkruan si oqeanike, ndërsa me brohorima u prit inkurajimi i Obamës që Irlanda të tejkalojë krizën ekonomike.  

Fluturimi i Obamës në Londër ishte planifikuar për të martën, por u përshpejtua nga frika se  retë vullkanike mund të  prekin dhe trafikun ajror të Britanisë. Përveç Irlandës, dhe Britanisë, Obama në fund të kësaj jave pritet të marrë pjesë në samitin e G8-ës dhe të vizitojë Poloninë.


24 May 2011