Situata paszgjedhore, Topi në selinë e ambasadorit Arvizu
Ndalesa e fundit para se të nisej në Mal të Zi e presidentit Topi ka qenë rezidenca private e Ambasadorit Amerikan, Alexandër Arvizu në Sauk. Në një takim privat zhvilluar rreth orës 15:00, dy personalitetet kanë diskutuar gjatë për situatën paszgjedhore dhe mungesën e një fituesi në kryeqytet.
Sipas faqes zyrtare të presidencës, si diplomati i SHBA-ve ashtu dhe presidenti shqiptar kanë theksuar nevojën e përmbylljes sa më të shpejtë të procesit zgjedhor.
Urgjente sipas tyre, është dhe nevoja e kapërcimit të ngërçit të stërzgjatur politik. Gjë që arrihet vetëm duke rivendosur dialogun ndër-institucional, respektuar ligjin, institucionet e pavarura kushtetuese në shërbim të interesave madhore të vendit dhe aspiratave integruese europiane.
Zgjedhjet e 8 majit dhe vonimi i shpalljes së fituesit të tyre, kanë shqetësuar diplomatët e huaj në Tiranë të cilët kanë zhvilluar takime të shpeshta me drejtuesit politikë shqiptarë. Po aq të shpeshta kanë qenë dhe apelet për zgjidhje. Gjatë qëndrimit të rezidencën amerikane, Topi i ka dorëzuar Arvizut një mesazh të shkruar për homologun e tij Obama. Kreu i shtetit i ka uruar atij përvjetorin 235-të Pavarësisë së SHBA-ve.
Menjëherë më pas, Topi është nisur drejt Malit të Zi, ku do të marrë pjesë në Samitin e presidentëve të rajonit në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore, ku pritet të mbajë dhe një fjalim.