Lajmi i plotë:

Kupa, Besa fiton kundër Tiranës dhe... baltës

TIRANE-Besa arrin një fitore të madhe në shifrat 2-0 përballë Tiranës, duke bërë një hap të sigurt drejt gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Në Kavajë, në një terren të denjë për vaterpolo ka qenë skuadra e Shpëtim Duros ajo që ka ditur të përfitojë. Në dy rastet që kanë shkuar në portë, vendasit kanë arritur të shënojnë, ndonëse për një pjesë loje u është dashur të luajnë me 10 vetë. Duke përfituar edhe nga një formë jo e mirë e portierit Nallbani, por edhe nga dëshira e Tiranës për të gjetur me çdo synim golin, Besa ka marrë atë ç'ka dashur nga ky takim. Për hir të së vërtetës, bardheblutë merituan më shumë për ç'ka dhanë në fushën e lojës, por para portës, kjo skuadër vuan jo pak mungesën e një goleadori. Emocionet në ndeshjen e djeshme mes Besës dhe Tiranës ishin të shumta deri në përfundimin e saj, por kishte një tjetër faktor që ia hoqi bukurinë kësaj sfide: terreni. Në fakt, 90 minutat e zhvilluara dje në Kavajë kanë qenë një betejë e vërtetë mes lojtarëve dhe baltës së ngjeshur. Një gjë e tillë kuptohej mjaft lehtë kur futbollistët zgjidhnin ato pjesë të vogla të thata të fushës për të zhvilluar aksionet.
Ndeshja
Ndeshja mes Besës dhe Tiranës nisi mjaft e mirë për skuadrën bardheblu, por në minutën e 8-të, një goditje dënimi e marrë 20 metra larg zonës, solli golin e parë. Topi i Shkëmbit nuk u prit mirë nga Nallbani dhe aty një lojtar i Besës tentoi ta çonte në rrjetë, por u pengua nga Andi Lila. Në fakt, vendasit shënuan gol, por gjyqtari Enea Jorgji e anuloi, duke akorduar penallti. Nga pika e bardhë Mancaku nuk fali dhe kaloi Besën në avantazh. Në minutën e 43-të, një ndërhyrje tepër e rëndë e Arapit ndaj Muzakës, solli kartonin e kuq për futbollistin e Besës. Gjyqtari zbatoi rregulloren për një ndërhyrje të ashpër në kavilje, që e shoqëruar me terrenin e vështirë, mund t'i shkaktonte jo pak probleme mesfushorit të Tiranës. Në pjesën e dytë, bardheblutë kanë futur në fushë edhe Abilaliajn, duke forcuar sulmin, por rasti i vetëm i mirë ishte një goditje e vlonjatit me kokë, që u prit nga Shehi dhe përfundoi në traversë. Më pas, Besës iu mohua një penallti për një kapje prej fanele të Daniel Xhafës, megjithatë vendasit arritën të shënonin pak minuta para përfundimit me anë të Daniel Xhafës. Pas një aksioni ku Cikalleshi u mendua në jashtë loje, topi i futur në zonë krijoi një mini-betejë mes Xhafës dhe Nallbanit, por sulmuesi i Besës e dërgoi atë në rrjetë. Këtu përfundoi gjithçka, megjithëse Sefa pati një rast të mirë për të shënuar golin e shpresës në minutën e tretë shtesë.
Ndeshjet
Nga dy ndeshjet e tjera që ishin programuar për dje, u zhvillua vetëm ajo mes Skënderbeut dhe Vllaznisë, e cila përfundoi në barazim pa gola. Ndërkohë, takimi i Ersekës mes Gramozit e Teutës u ndërpre pas 30 minutash lojë, për shkak të borës së madhe dhe kushteve të këqija të motit. Ajo do të luhet javën e ardhshme.